top of page

INFORMACION I PËRGJITHSHËM MBI BASHKINË MALIQ!

Gjatë viteve të fundit bashkia Maliq është përballur me probleme dhe fenomene të ndryshme si lëvizja e popullsisë, kërkesa për përmiresim të infrastrukturës, kërkesë për rritje të bizneseve private e aktiviteteve prodhuese, vështirësi ekonomike, nevojë për punësim, kërkesë për një mjedis sa më të pastër, etj. Mbas viteve 1990 qyteti dhe territori rreth sajë pësoi dëmtime të kurorës së gjelbër, infrastrukturës, ndërmarrjeve shtetërore dhe me të drejtë rast pas rasti, qytetarët kërkojnë ndërhyrje dhe investime urgjente për të mirën e jetës së tyre. Pushteti Lokal, duke u përballur me këtë gjendje, ka synuar në përmirësimin e infrastrukturës, mjedisit, jetës në përgjithësi. Në këtë aspekt arritjet dhe përmirësimet nuk kanë munguar. Nevojat dhe kërkesat e qytetarëve për ndryshim, investim dhe përmirësim të infrastrukturës, me pikësynim final mbrojtjen e jetës së tyre, janë gjithmonë në rritje dhe një domosdoshmëri urgjente. Në këto kushte, dalin detyra urgjente për përmirësimin e mjedisit, përmirësimin e sipërfaqeve të gjelbërta, ngritjen e lulishteve të reja, rehabilitim i fushës së grumbullimit të mbetjeve edhe për vetë afërsinë me qendren e banuar etj

 

 

 

1.Hyrje

 

Bashkia e Maliqit shtrihet në një nga zonat më pjellore bujqësore të Shqipërisë, më së shumti në një ish-kënetë të tharë me shumë mund dhe sakrifica njerëzore në vitet 1950. Qyteti i Maliqit u krijua si një qendër e rëndësishme e industrisë ushqimore në rang vendi me disa produkte të rëndësishme si sheqeri, melasa apo niseshteja si dhe e industrisë së përpunimit të drurit, por falimentimi i kësaj industrie solli papunësi të lartë në qytet dhe largimin e një pjese të konsiderueshme të banorëve. Për shkak të mungesës së mirëmbajtjes së infrastrukturës së kullimit të krijuar bashkë me tharjen e kënetës, kjo zonë është vazhdimisht e rrezikuar nga përmbytjet.                                                                                                                                      

 

Ndërtimi i rrugës së re kombëtare drejt Korçës anashkaloi qytetin ndërsa dy komuna përbërëse të bashkisë së re rezultojnë se kanë numër më të madh biznesesh për frymë se sa vetë Maliqi. Niveli ekonomik i familjeve është ulur edhe si pasojë e kthimit të emigrantëve prej krizës greke.                                                                                                                      

 

Problematikë e pazgjidhur mbetet mungesa e tregut për prodhimet bujqësore ndërsa fermerët janë kryesisht të pa orientuar drejt kulturave që duhet të kultivojnë në përputhje me kërkesat e tregut. Në zonat malore banorët i kanë dhënë prioritet blegtorisë dhe bletarisë ndërsa problematike mbetet prerja masive e pyjeve.                                                                                                     

Fshatrat e fushës së Korçës kanë pasur zhvendosje të popullsisë, ndërkohë që në zonat malore fenomeni i braktisjes është tejet i përhapur. Të rinjtë zgjedhin të studiojnë në kryeqytet dhe pas përfundimit të studimeve nuk kthehen më, çka ka sjellë për pasojë plakjen e fshatrave në zonat malore.                                                                                                                                          

 

Në aspektin kulturor e gjithë zona është e varfër, mungojnë ambientet por edhe aktivitetet të cilat do të mund të nxisnin edhe me tepër zhvillimin e kulturës. Për pjesën më të madhe të zonës infrastruktura është ndërtuar ndërsa projekti më i rëndësishëm është ai i aksit nacional që lidh Gramshin me Maliqin, punimet e të cilit po ecin me ritme të ngadalta.

 

Megjithatë, shpresat janë që industria agroushqimore do të mund të rikthehet në zonë për shkak të mundësisë për të shfrytëzuar tokën pjellore të ish-kënetës duke rigjallëruar bashkinë e re. Largimi i një pjese të popullsisë në emigrim apo në migrim ka krijuar toka bujqësore të lira të cilat në raste të kufizuara aktualisht janë marrë me qira nga familje fermere për të krijuar biznese të fuqishme bujqësore në ekonomi shkalle.

 

 

2. Popullsia

Në Bashkinë Maliq, numri i popullsisë ka ardhur në ulje, nga 7823 banorë në vitin 2010 në 7721 banorë në vitin 2014. Numri i familjeve ka ardhur në ulje, nga 2400 familje në vitin 2010 në 2359 familje në vitin 2014. Fëmijët (grupmosha 0-18 vjeç) përbëjnë një kategori të rëndësishme në Bashkinë Maliq. Numri i fëmijëve ka ardhur në ulje nga 1900 fëmijë në vitin 2010 në 1747 fëmijë në vitin 2013. Ndërkohë përqindja e fëmijëve në raport me popullatën ka ardhur në ulje nga 15% në vitin 2010 në 13 % në vitin 2013. Fëmijët janë brezi i së ardhmes dhe një kategori e rëndësishme në të cilën duhet të fokusohen ndërhyrjet dhe programet e politikave sociale. Fëmijët në Bashkinë Maliq përbëjnë mbi ¼ e popullsisë, ndaj duhet të përfitojnë nga shërbimet që garantojnë mirëqënien sociale të tyre në fushat e edukimit, shëndetësisë, mbrojtjes sociale.

2.1 Ndihma ekonomike

Sistemi i mbrojtjes sociale ka për qëllim shpërndarjen dhe rishpërndarjen e të ardhurave kombëtare në favor të shtresave me nivel më të ulët të ardhurash, duke ndikuar në drejtësinë sociale dhe zbutjen e kontradiktave ndërmjet shtresave të ndryshme. Numri i familjeve me fëmijë 0-18 vjeç, që jetojnë në familje që mbështeten me ndihmë ekonomike në Bashkinë Maliq ka ardhur ulje nga 229 familje në vitin 2010, në 174 familje në vitin 2013. Sot në Bashkinë Maliq trajtohen me ndihmë ekonomike 1.366 familje ose e thënë më sakt 2%  të popullsisë. Në skemën e ndihmës ekonomike janë përfshirë ato familje që nuk kanë të ardhura finaciare, por edhe ato me probleme të ndryshme sociale që s’mund të përballojnë dot jetesën e tyre familjare. Një familje që trajtohet me ndihmë ekonomike përveç vlerës monetare që merr sipas llogaritjeve për frymë, marrin edhe kompesim të energjisë elektrike, si dhe kompesim për librat shkollor të fëmijëve që vazhdojnë shkollën. Po kështu, trajtohen edhe ato  familje që kanë fëmijët nën 16 vjeç,  si dhe fëmijët e familjeve që vazhdojnë arsimin 9 vjeçar, duke u kompesuar me vlerën 300 leke të reja në muaj.

2.2 Edukimi

Edukimi është një ndër të drejtat themelore të njeriut. Ndjekja e niveleve të ndryshme të edukimit paraqitet e ndryshme në zona të ndryshme.  Numri i nxënësve në arsimin e detyruar është ulur shumë pak duke bërë krahasim 2010-2013.  Në Bashkinë Maliq shkalla e rregjistrimit në arsimin e mesëm paraqitet në vlerën 90% për shkak të rregjistrimit në shkollat e bashkive të mëdha të fëmijëve nga zonat përreth. Ndërsa në Komunen Moglicë dhe Libonik nuk ka shkollë të mesme.

2.5 Aftesia e kufizuar

Aftësia e kufizuar është një fushë e gjerë që prek një numër të madh fëmijësh në Bashkinë Maliq. Përqindja e fëmijëve me aftësi të kufizuar ka ardhur në rritje nga 1.2% në vitin 2010 në 1.3% në vitin 2013 në Bashkinë Maliq.

 

3. Zhvillimi urbanistik i qytetit

Qyteti i Maliqit është zhvilluar mbi bazën e një plani urbanistik të tipit rus dhe ka patur një vijë ndërtimi shumë të rregullt, me godina të mirësistemuara, me rrugë të asfaltuara, me parqe dhe lulishte. Qyteti ndahet në katër blloqe banimi :

Blloku Nr.1 – ka një shtrirje prej 279000 m2, dhe përveç zonës së banimit ka objekte social-kulturore e të kultit, ndër të cilat shkolla e mesme, poliklinika, telekomi, kinemaja, kisha, terrenet sportive si dhe zona industriale. Blloku ka 52 godina banimi dhe 1528 banorë .                                                                                   

Blloku Nr.2 – shtrihet në qendër të qytetit në një sipërfaqe 69150 m2 dhe ka kryesisht godina banimi (82 ndërtesa të tilla) dhe 1548 banorë .                                                                                                                                    

Blloku Nr 3 shtrihet në një sipërfaqe 154900 m2 dhe perveç zonës së banimit që ka 125 godina ka dhe shkollën 8-vjeçare, xhaminë,vaskat e panxharit, kopështin e fëmijëve, godinën e zyrave të bashkisë. Blloku ka 1918 banorë .                                                                                                                                                             

Blloku Nr.4 - përbehet nga lagja Krastafilak dhe lagja Demokracia me një shtrirje 204100 m2 kryesisht në pjesën kodrinore të qytetit. Ka 109 ndërtesa banimi individuale një dhe dy katëshe dhe 1012 banorë.

Por krahas këtyre blloqeve në qytet kemi dhe ndërtime pa leje si brenda ashtu dhe jashtë vijës së verdhë të qytetit. Ndërtimet janë shtrirë në ato zona që sot quhen zona informale dhe numri total i ndërtimeve pa leje është më shumë se 265.

Zonat informale renditen si mëposhtë :

- Zona Qesarate ka 57 godina banimi dhe 2 godina shërbimi; numri i familjeve që janë strehuar është 59 dhe numri i banorëve 262, ka një sipërfaqe të zënë 27,200 m2 dhe sipërfaqja e llogaritur si zonë informale është 6,2 ha.

 - Zona Krastafilak ka 50 godina banimi dhe 5 për shërbim; numri i familjeve është 50, numri i banorëve është 209, sipërfaqja e zënë 22015 m2 dhe sipërfaqja e propozuar për zonën informale është 3.5 Ha.

- Zona Baxho-Hirrat ka 18 godina banimi dhe 2 për shërbim, numri i familjeve është 18 dhe numri i banorëve 80, ka një sipërfaqe të zënë 12382 m2 dhe sipërfaqja që propozohet është 2,5 Ha.

- Zona te Blloku Nr. 3 ka 25 godina banimi dhe 3 për shërbim, numri i familjeve është 29 dhe numri i banorëve është 109, ka një sipërfaqe të zënë 10421 m2 dhe sipërfaqja që propozohet është 3 ha

- Zona tek Bonifikimi ka 25 godina banimi dhe 13 për shërbime, numri i familjeve është 25 dhe numri i banorëve është 115, ka një sipërfaqe të zënë 9550 m2 dhe sipërfaqja që propozohet është 4 ha

- Zona brenda vijës së verdhë të qytetit ka 31 godina dhe shtesa banimi, 21 për shërbime dhe 10 për tregëtime, numri i familjeve është 31 dhe numri i banorëve 117, sipërfaqja e zënë është 6547 m2

Ndërtimet pa leje brenda vijës së verdhë të qytetit kanë sjellë pasoja negative sidomos për mjedisin, sidomos lidhur në prishjen e sipërfaqeve të gjelbra të qytetit si dhe dëmtimin e territoreve përreth banesave dhe blloqeve të pallateve. Mungesa e shërbimeve në këtë zonë e ka kthyer atë në të papërshtatshme për banim, nga ana shëndetësore e mjedisore. Ndërtimet pa leje sjellin dëm mjaft të madh në përdorimin e tokës dhe janë shkaqe për ndotje.

3.1  Rrjeti i shkarkimit te ujrave te zeza

Në qytetin Maliq ekziston një rrjet i shkarkimit të ujërave të zeza, i përbërë nga dy kolektorë kryesorë. Njëri kalon përmes qytetit në drejtim jugperëndim – verilindje, rreth 485 ml. Ky kolektor, i ndërtuar gjatë viteve 1960, në pjesën e banuar të qytetit është tip qemeri me mure guri të trasha dhe mbledh shkarkimet e pjesës së sipërme të qytetit, lagjen Krastafilak, lagjen Partizani, Bllokun Nr.2 dhe Bllokun Nr.1. Kolektori tjetër fillon nga Pritka e Parë, në perëndim të varrezave të qytetit dhe vazhdon sipas drejtimit jugperëndim-veri, deri në shkarkimet e fabrikës së alkoolit me një gjatësi 1000 ml.

3.2  Rrjeti i shkarkimit te ujrave te bardha

Ujërat e bardha priten në pjesën e sipërme të qytetit (poshtë kodrave ), në jug të tij, dhe orientohen me kanale të hapura ose tubacione drejt dy kolektorëve kryesorë të qytetit. Pjesa më e madhe e sistemit të shkarkimeve janë me qemer guri dhe, si pasojë e mungesës së ujit të rrjedhshëm për 24 orë, janë të bllokuar me aluvione në rreth 60% të kapacitetit të tyre përcjellës. Zonat më problematike janë Blloku Nr. 1 dhe Blloku Nr.3. Edhe gjendja e tubacioneve është e rënduar dhe ka bllokime herë pas here, sidomos në pallate.

3.3 Furnizimi me uje te pijshem

Furnizimi me ujë të pijshëm në qytet sot realizohet nëpërmjet tre linjave të jashtme:

  1. Linja Kolanec –Maliq, me gjatësi 3,5 km dhe prurje 4,5 l/sek

  2. Linja Gurza-Maliq me gjatësi 4 km dhe prurje 8 l/sek

  3. Linja Goçe-Maliq me gjatësi 4,5 km dhe prurje 4,5 l/sek

Uji grumbullohet në dy depo, në pjesën perëndimore të qytetit, me kapacitet 400 m3 dhe 200 m3 secila . Uji shpërndahet në qytet nëpërmjet një rrjeti tej mase të amortizuar (kjo sjell ndotje të ujit dhe prishje të cilësisë së tij) dhe me humbje të mëdha në rrjet. Vendosja e pompave nëpër banesa shumëkatëshe ka sjellë rritjen e shkallës së amortizimit të tubove. Rrjeti i brendshëm i ujit të pijshëm furnizon rreth 1540 familje, të cilat e përdorin ujin jo vetëm për të pirë dhe për të larë, por edhe për të vaditur kopështet, për larje makinash. Furnizimi dhe shpërndarja e ujit të pijshëm është pa kosto, sepse uji vjen nga malet e Kolanecit me vetërrjedhje dhe po kështu realizohet dhe shpërndarja e tij. Ndërmarrja Ujësjellës Fshat, që ka në administrim shërbimin e furnizimit me ujë të pijshëm, ka një numër të kufizuar punëtorësh dhe nuk është në gjendje të kryejë vetëriparimin e dëmtimeve në rrjet.

3.4 Analiza e shkallës së ndotjes

Megjithë përmirësimet e rrjetit të kanalizimit të ujërave të zeza, shkalla e ndotjes të mjedisit nuk është eliminuar, sepse mungesa e ujit të rrjedhshëm në mënyrë të vazhdueshme sjell bllokimin e linjave dhe pusetave. Në zonat e reja informale përdoren gropa septike për grumbullimin e ujërave të zeza.

3.5 Shkalla e klorifikimit të ujit të pijshëm

 Furnizimi me ujë të pijshëm realizohet nëpërmjet linjave të jashtme si ujësjellësi i Goçes, ujësjellësi Kolanec-Maliq, ujësjellësi i Gurzave. Uji është shumë i mirë (ujë mali e ujë lajthie). Shpërndarja e tij realizohet nga Ndërmarrja e Ujësjellësit Fshat, nëpërmjet një rrjeti tejet të amortizuar dhe me humbje të mëdha në rrjet. Në vitin 2014, ka filluar dhe vazhdon të kryhet rikonstruksioni i rrjetit të brendshëm të ujit të pijshëm, i gjithi me tubo PE, nëpërmjet një bashkëfinancimi të Bashkisë Maliq dhe Fondit të Zhvillimit Shqiptar, me një vlerë prej 32,5 milionë lekë. Klorifikimi i ujit, nga ana e ndërmarrjes “Ujësjellës Fshat”, që ka në administrim shpërndarjen e ujit të pijshëm, nuk bëhet fare dhe mungesa e këtij procesi ka sjellë rritjen e shkallës së ndotjes të ujit (e cila është gjashtë herë më e lartë se norma e lejuar ) dhe shfaqjen e sëmundjeve të tilla, si Hepatit A etj.

3.6  Transporti

Sektori i transportit përmbledh shërbimin e organizuar dhe të kontrolluar nga bashkia, si dhe transportin për nevojat e veta. Pavarësisht nga detajimi i mësipërm i gjithë shërbimi i transportit është privat. Transporti është i organizuar me taksi, furgona, autobusë dhe mjete për mallra. Subjektet që operojnë në këto aktivitete janë të ndarë në persona fizikë, juridikë për nevoja të veta dhe për të tretë. Bashkia ka përcaktuar vendqëndrimet, itineraret dhe oraret për shërbimin me autobuz. Ndotja e shkaktuar nga mjetet e transportit është relativisht e pakët. Kjo vetëm për faktin se qarkullimi rrugor kombëtar është larg rreth 1 km nga qyteti dhe rrymat e ajrit janë të tilla që nuk ndikojnë në mjedisin dhe ajrin e qytetit.

 

3.7 Sistemi i mbetjeve urbane në qytet

Burimi i mbetjeve, në qytetin e Maliqit, janë: familjarët; kafshët; mbetjet e bimëve bujqësore, pemëve dekorative etj; mbetjet e shërbimeve (bar bufe, restorante); mbetjet e industrisë së lehtë e ushqimore (rrobaqepsi, fabrika e niseshtesë dhe fabrika e alkoolit); mbetjet nga ndërtimet, restaurimet, rikonstruksionet; mbetjet e institucioneve publike dhe edukative, mbetjet e institucioneve shëndetësore, etj.

3.8 Sistemi i shpërndarjes së energjisë

Furnizimi me energji elektrike në Bashkinë Maliq realizohet nga Filiali elektrik i qytetit të Korçës, nëpërmjet fiderit 35 kVA ,nëpërmjet nënstacionit të TEC-it Maliq, i cili bën kthimin në 6 kVA. Aktualisht, furnizimi bëhet nëpërmjet sistemit të shpërndarjes të përbërë nga 6 kabina elektrike në qytet dhe 6 kabina elektrike në zonën rurale. Trasformatorët paraqesin nevoja për ndërhyrje. Momentalisht, sistemi shpërndarës i tensionit të ulët është i një moshe mbi 30 vjeçare me nevoja urgjente për rikonstruksion të plotë. Humbjet në rrjetin shpërndarës vlerësohen në afro 35 %, për vetë faktin e amortizimit aktual të linjave shpërndarëse në qytet. Bashkia Maliq me buxhetin e vet mbulon edhe shpenzimet për energji për institucionet në varësi të saj si në shëndetësi, në arsim, në zyrat e bashkisë dhe për ndriçim publik.

 

4. Shëndeti i popullatës dhe infeksionet

Në përgjithësi, shëndeti i popullatës është i mirë. Në bashkinë e Maliqit ka një qendër shëndetësore, që e shtrin veprimtarinë në qytet. Po kjo qendër mbulon të gjitha fshatrat me personel të mesëm mjekësor. Shëndetësia është një fushë prioritare e mirëqënies së fëmijëve. Shkalla e imunizimit kap vleren 98%, vlerë positive Problematikë është numri I mjekëve dhe infermierëve për banorë, shifër e cila është shumë larg standartit. Nëse standarti është 1 mjek për 800 banorë, ka shumë zona të thella ku numri arrin 1 mjek për 2000 banorë. Kjo më tepër për zonat e thella malore. Me gjithë kujdesin e punën e kryer dhe vaksinimet që bëhen, ekziston rreziku i përhapjes së infeksioneve nga faktorët e mjedisit. Popullata është e rrezikuar nga infeksionet e aparatit tretës, paratifo, dizenteri, verdhëza, parazitët e zorrëve, infeksionet e lëkurës, si sëmundjet e qelbezuara dhe zgjebe. Herë pas here, në qytetin e Maliqit ka patur shëprthime të të vogla epidemie me dizenteri, verdhëz e zgjebe. Marrja e masave parandaluese, në këto raste, ka qenë e vështirë, për shkak të mos diagnostikimit të rregullt të popullsisë, që ka sjellë moszbulimin e rasteve të para të infeksioneve dhe, më tej, parandalimin e tyre. Ndër shkaqet kryesore të këtyre epidemive mund të përmendim:

  • Dëmtimi i kanalizimeve të ujërave të zeza dhe mungesa e kanalizimeve në disa zona;

  • Mungesa e sistemeve të përpunimit të ujërave të zeza, për pasojë derdhja e tyre direkt në zona të hapura dhe në lumin Devoll;

  • Dalja në sipërfaqe e ujërave të zeza nga bllokimi i pusetave;

  • Ndotja e ujit të pijshëm nga ujërat e zeza për shkak të amortizimit të tubacioneve apo gabimeve në shtrirjen e vendosjen e tyre;

  • Mosklorinimi i vazhdueshëm i ujit të pijshëm;

  • Mospastrimi e mospërpunimi i mbetjeve;

  • Mosdezinfektimi i vendgrumbullimeve të mbetjeve dhe kanalizimeve.

Për të evituar infeksionet që vijnë si pasojë e ndotjes së mjedisit, rekomandohen këto masa:

  • Përpunimi dhe dezinfektimi i ujërave të zeza dhe mënjanimi i menjëhershëm i defekteve në rast daljeje të ujërave të zeza në sipërfaqe dhe eleminimi i shkaqeve për të mos u përsëritur;

  • Analizat e vazhdueshme e ujit të pijshëm për shkallën e ndotjes dhe klorinimi i rregullt i tij;

  • Eleminimi i defekteve në tubot e ujit të pijshëm dhe në kryqëzimet apo mbikalimet në kanalet e ujërave të zeza;

  • Pastrimi, përpunimi në kohë i mbetjeve;

  • Dezinfektimi i vendgrumbullimeve te mbetjeve të ngurta, kazanëve dhe pellgjeve;

  • Ngritja e nivelit të ndërgjegjësimit dhe njohurive të bashkësisë për shëndetin e tyre dhe mirëmbajtjen e mjedisit, për të mënjanuar ndotjen e elemntëve të tij dhe pasojat negative në shëndet.

 

5.Shkalla e ndotjes së ajrit dhe burimet e tij

Cilësia e ajrit dhe shëndeti i popullatës Shkalla e ndotjes së ajrit përcaktohet në bazë të matjeve që kryen Drejtoria e Shërbimit Shëndetësor Parësor. Në bazë rezultateve të matjeve, rezulton se në qytetin e Maliqit, niveli i ndotjes së ajrit nuk është i lartë. Burimet e ndotjes janë pluhuri i rrugëve, shkarkimet nga automjetet, tymrat e furrave të bukës, shkarkimet e industrisë, sidomos i kaldajave me mazut, mbetjet urbane, kur nuk tërhiqen në kohë, etj. Edhe djegia e mbetjeve është shkak për ndotjen e ajrin të qytetit me gaz karbonik dhe lëndë toksike (dioksina, etj.)

 

Për të mënjanuar këtë duhet:

  • Të shtrohen rrugët dhe të sistemohen për të pakësuar pluhurin

  • Të krijohet mundësia për larjen e asfaltit në stinën e verës

  • Të mos lejohet të qarkullojne makinat që tejkalojnë normat e shkarkimeve

  • Të ketë rrugë anësore që makinat të mos kalojnë përmes qytetit

  • Çdo ditë të bëhet pastrimi i mbetjeve në gjithë qytetin në orët e para të mëngjesit, grumbullimi dhe përpunimi i tyre në vende të caktuara

  • Të mos lejohet djegia e mbetjeve.

  • Të vendosen elektrofiltra në oxhaqet e furrave dhe fabrikave.

 

5.1 Zonat e gjelbëruara ne qytet

Në qytetin e Maliqit ka rreth 1,4 ha zona të gjelbra, që janë në gjendje të mirë dhe që mirëmbahen nga 4 (katër) punëtorë. Secili punëtor ka pjesën e tij, të ndarë sipas blloqeve dhe çdo punonjës mban përgjegjësi për mirëmbajtjen, pastrimin, mbjelljen me bar, mbjelljen me lule dhe shërbime të tjera të nevojshme. Në vitin 2002, janë mbjellë 67 pemë dekorative në lulishten para bashkisë, si dhe 400 copë të tjera të shpërndara si më poshtë: 82 copë në rrugën kryesore, 64 copë tek kisha, 34 copë tek rruga e Bllokut nr. 2, 200 copë në varrezat e qytetit, si dhe 20 copë në Kolanec.

 

6. Bujqesia dhe blegtoria

 

6.1 Bujqësia

Bashkia Maliq, krahas qytetit, përfshin edhe 6 fshatra: fshati Maliq, Kolanec, Goçe, Bicke, Gjyras dhe Plovisht-Bos. Banorët e këtyre fshatrave sigurojnë të ardhurat për jetesë kryesisht nga aktivitetet bujqësore dhe pjesërisht nga migracioni brenda dhe jashtë vendit. Tokat bujqësore të fshatrave tona janë toka të murrme bujqësore. Pjesa më e madhe e tyre janë përfituar si rezultat e hapjes së tokave të reja krejtësisht nga tokat pyjore (lajthi dhe dushk), në lartësi 1100 – 1400 m mbi nivelin e detit. Pra pjesa më e madhe e tyre janë toka skeletore. Për vetë cilësinë e tokave (toka të lehta), por edhe përmbajtjen e elementëve ushqyes, në to rriten mirë si drithërat e bukës, ashtu dhe bima e patates, e cila karakterizohet si e veçantë dhe me emër (patatja e Gjyrasit apo Kolanecit). Në ngastra të veçanta rritet mirë thekra, apo edhe bimë foragjere, ndërsa në pemëtari dallohet Kolaneci për qershinë dhe Gjyrasi për kumbullat dhe rakinë e nxjerrë prej tyre.

6.2 Blegtoria

Në fshatrat e zonës, fermerë të veçantë merren me mbarështimin e bagëtisë, sidomos të të imtave, sidomos deles, por dhe lopës për prodhimin e qumështit. Ka individë që kanë futur edhe mbarështrimin e derrit, për prodhim mishi, i cili për vetë mënyrën e ushqyerjes dhe pastërtinë e terrenit ka një cilësi shumë të mirë. Qumështi i prodhuar nga lopët dhe delet grumbullohet në baxhon e qytetit, e cila shquhet për prodhimin e djathit dhe kaçkavallit. Në fshatin Maliq dhe Gjyras ka fermerë të veçantë që merren me mbarështimin e bletëve. Për kullotjen e bagëtive, përdoren kullota natyrale, ose kullotat e krijuara në tokat e lëna djerrë, nga mosprëdorimi për bujqësi nga disa familje, ose nga braktisja e tokës ëpr shkak të lëvizjeve demografike të popullsisë së fshatrave, sidomos në ato të thella, Bickë, Gjyras dhe Plovisht, që kanë një numër të madh të familjeve të zhvendosura.

 

6.3  Erozioni

Terreni kodrinor-malor i zonës favorizon fenomenin e erozionit, që, në raste të veçanta, si në vitin 1968 dhe 2003, u ndje i fuqishëm, sidomos në tokat përreth fshatrave Bickë dhe Gjyras. Theksojmë se në 2003, erozioni, i favorizuar dhe nga reshjet e shumta të atij viti, dëmtoi rëndë të dy fshatrat e mësipërm duke dëmtuar rëndë banesa dhe tokat përreth. Fenomeni i erozionit ndjehet edhe në zonën e Kolanecit dhe fshatit Goçe, por në ngastra të veçanta. Është e domosdoshme të punohet për mbrojtjen e tokës nga ky fenomen, duke ndërtuar prita malore apo sistemimin e tokës, si dhe kanalizimin për kullimin e ujërave atje ku ndihet e domosdoshme

6.4  Ujitja

Për vetë kushtet e terrenit kodrinor-malor, ujitja e tokave në zonë kryhej me rrjedhje të lirë apo dhe në formë shiu, nëpërmjet impianteve të ujitjes, duke shfrytëzuar energjinë e vetërrjedhjes. Kjo realizohej nëpërmjet ujërave të rezervuarit të Kolanecit, i cili grumbullonte ujërat nga shkrirja e dëborës apo rrjedhjet e burimeve përreth tij. Ky rezervuar, ndërtuar mbi fshatin Kolanec, furnizonte një rrjet vaditës rreth 12 km të gjatë, që përshkonte tokat e Kolanecit, Goçes dhe dilte në Kloçë, kurse, nëpërmjet sifoneve, uji kalonte edhe në Bickë, Gjyras dhe Plovisht dhe, mandej, kalonte lumin dhe dilte në Babjen (ne Plovisht). Këtu, duke shfrytëzuar energjinë e vetërrjedhjes, prodhohej energji elektrike për zonën. Gjithë ky rrjet vaditës (kanale të veshura me pllaka), gjatë tranzicionit, është dëmtuar, pllakat, pajisjet e hidrantëve (tubo, saraçineska, etj.) të zonës fshat Maliq, u vodhën dhe ky rrjet, aktualisht, nuk funksionon. Sot ujiten vetëm tokat nën fshatra, duke shfrytëzuar ujin e çesmave të fshatrave, si në Kolanec, Goçe e Gjyras, kurse në fshat Maliq shfrytëzohet uji i Përroit të Goçes dhe Kolanecit, nëpërmjet kanaleve vaditës të ndërtuar nga vetë fshatarët dhe që mirëmbahen çdo vit prej tyre. Në Plovisht ujiten vetëm tokat poshtë fshatit, duke shfrytëzuar ujin e përroit të Gjyrasit.

 

6.5 Kullimi

 Në përgjithësi, kullimi i tokave nuk është shumë i nevojshëm për vetë faktin se tokat janë në terren kodrinor-malor, me pjerësi dhe nuk ka mundësi për grumbullim të tepërt uji. Megjithatë, në procesin e punimit të tokave, fshatarët kanë parasysh që, për mbjelljet e vjeshtës, të hapin nëpër ngastra lehe (me pendë), që shërbejnë për kullimin e ujit të tepërt, si rezultat i shirave apo shkrirjes së dëborës në pranverë.

 

6.6 Përdorimi i lëndëve kimike në bujqësi

Përdorimi i plehrave kimike dhe pesticideve, në këto zona, është i pakët për vetë faktin e kostos së tyre të lartë, të papërballueshme nga ana e fshatarëve.

Si konkluzion, për të ndihmuar në fushën e bujqësisë në këtë zonë, ka nevojë të ndërhyhet:

• Për përmirësimin e infrastrukturës rrugore;

• Për rikonstruksionin e sistemit të vaditjes dhe rezervuarit të Kolanecit;

• Për subvencionimin e çmimeve të farërave, pesticideve, plehrave, mekankës bujqësore, etj;

• Për krijimin e fermave të mëdha, kooperativave apo bashkimeve të tjera të fermerëve;

• Për krijimin e kushteve për thithjen dhe tregtimin e prodhimeve bujqësore dhe blegtorale.

 

7. Trashëgimia kulturore – vlerat turistike

Qyteti i Maliqit ka moshë të re, krahasuar me qytete të tjerë të lashtë, si Gjirokastra, Berati, Shkodra, Tirana, Elbasani, etj. Ndërtimi i këtij qyteti ka filluar paralelisht me fillimin e punimeve për ndërtimin e kombinatit të sheqerit, mbas tharjes së Kënetës së Maliqit, që u krye në vitet 1946-47. Ndërtimi i Kombinatit përfundoi në 1951, së bashku me godinat për punonjesit që do të punonin aty. Pra, vitet ‘50 mund të quhen vitet e krijimit të qytetit. Nga më të moshuarit, mësohet se qyteti, para çlirimit (1944), nuk ka ekzistuar. Të vetmet objekte, që përmenden si më të vjetra, që para çlirimit, janë posta e policisë dhe një han për udhëtarët. Të gjithë objektet e tjera, janë ndërtuar të reja në periudhën e ngritjes së qytetit. Gjatë punimeve për ribonifikimin e fushës së Maliqit, në vitet 1960- 63, një grup gjeologësh zbuloi, mbi urën e lumit, një vendbanim ilir. Në vijim, objekte të lashta jan zbuluar dhe te kthesa e Symizit, në të dyja anët e rrugës Korçë –Pogradec, tek parcela “Xhumba”. Edhe në majën e Gradishtës janë zbuluar muret e një fortifikimi të lashtë ilir. Të gjitha këto flasin për popullimin e kësaj zone në lashtësi. Me kalimin e viteve, qyteti u rrit dhe, pas ndërtesave të para njëkatëshe, u ndërtuan ndërtesa apartamentesh dy dhe pesëkatëshe. Qyteti u popullua me banorë të zonës së Gorës, Oparit, Kolonjës, Skraparit, Devollit e Gramshit. Sot popullsia e Maliqit numëron rreth 6200 banorë. Bashkia Maliq, për vetë veçoritë e relievit ku ajo shtrihet, një zonë ku mbizotërojne kodrat e larta, që banorët i quajne male, të veshura me lajthi e shkozë, me dushkun e shkurre, ka klimë të mirë dhe të shëndetshme.Edhe kryeqendra e bashkisë është një qytet tërheqës, me rrugën kryesore të gjerë, me trotuare, me lulishte dhe me pemë gështenje të eger në të dy krahët e saj. Në bashkinë e Maliqit ka burime ujore të shumta e me ujëra mjaft të mira e të pastra. Megjithatë, shfrytëzimi i tyre nuk bëhet siç duhet. Me shumë pak investime, mund të arrihej që të sigurohet furnizimi i vazhdueshëm me ujë të pijshëm për banorët. Në perëndim të qytetit Maliq, jo më larg se 1,5 km nga qyteti, gjendet një mjedis tepër simpatik, i ashtuquajtur “burimi italian”. Është një mjedis luginor, midis lartësive të malit të Kolanecit me shtrirje P-L, dhe malit të Krastafilakut, po me të njëjtën shtrirje, i pasur me bimësi, kryesisht lajthi, dushk e shkozë, me ajër të pastër, të ngarkuar me elementë të shëndetshëm që përcjell bimësia, larg ndikimeve të ndotjeve nga agjentë të dëmshëm atmosferikë, larg zhurmave. Dikur ka qenë një pikë gati turistike shumë e preferuar nga qytetarët, e vizituar kryesisht në stinën e verës, me një lokal me miniliqen, me pragje ujëvare e rrugë makine. Aktualisht, kjo zonë përdoret nga qytetarët, për të marrë ujë të pastër e të shëndetshm. Ky mjedis përbën një potencial mjaft të mirë për ngritjen e një pike turistike për çlodhje, argëtim, madje dhe për përmirësimin e shëndetit. Mikromjediset e ndryshme ofrojnë mundësi të shumta: qendër zbavitje për fëmijë të vegjël, një miniqytezë alpine në pjerrësitë veriore për të rinjtë, kurse në qendër të luginës mund të ngrihet një lokal dhe qendër shëndetësore. Bashkia Maliq ka kushte mjedisore të përshtatshme për zhvillimin e degëve të caktuara të industrisë, të bujqësisë e sidomos të blegtorisë. Një kombinacion origjinal i ultësirës me emrin Fusha e Maliqit me kodrat që lartësohen në vijimësi, duke u kulmuar në kufi me zonën e Voskopojës, me luginën e lumit Devoll, që rrjedh nga lartësitë e Devollit, përshkon pellgun e Korçës në drejtimin L-P dhe çan drejt Lozhanit, kryeqendër e zonës së Gorës. Rrjedha e lumit Devoll, sidomos në krahun e majtë të rrjedhës së tij, prezanton pozicione të përshtatshme për minipika turistike, kryesisht në hapësirat Plovisht, ku terreni krijon më tepër hapësirë. Megjithatë, këto pika dhe të tjera me mundësi të mira turistike janë lënë jashtë vëmendjes.

 

 

Perfundime

 

Sfidat me të cilat përballet pushteti vendor jane kryesisht për zgjidhjen e problematikës së punësimit dhe sigurimit të tregut  për prodhimet bujqësore. Bashkisë i duhet të fokusohet në hartimin e politikave orientuese për fermerët, por edhe tek përmirësimi i infrastrukturës për të shmangur përmbytjet e tokave të kultivuara.

Rikthimi i kombinatit të sheqerit apo edhe fabrikave të tjera të përpunimit të produkteve bujqësore dhe drusore do i jepnin hov punësimit, çka do të reflektohej edhe me rritjen e nivelit mesatar të të ardhurave dhe jetesës.

Çështja e shkollave të bashkuara, klasave kolektive, ose largësia e tyre nga vendbanimet e shumë nxënësve identifikohet si një tjetër sfidë që kërkon zgjidhje nga pushteti  vendor. Për  shumë fshatra mungesa e investimeve në kopshte dhe shkolla është një problem, pasi ambientet janë të amortizuara, duke i detyruar deri më tani njësitë vendore të gjejnë zgjidhje alternative, si kthimin e shtëpive në shkolla ose dërgimin e nxënësve nga një fshat në tjetrin. Në zonat e thella malore e njëjta situatë është edhe me qendrat shëndetësore, të cilat janë të amortizuara dhe nuk kanë personel të mjaftueshëm.

Për vite të tëra në këtë zonë kanë munguar projektet apo investimet e rëndësishme, ndërsa mbetet domosdoshmëri edhe rivitalizimi i jetës sociale, artistiko-kulturore dhe sportive, por edhe promovimi i vlerave historike.

Prioritet i kesaj bashkie është zhvillimi i  industrisë agroushqimore, blegtoria e bletaria; që nxit fermerin të investojë për të marrë frutet e punës së tij në rritjen e finacave familjare, por që ndikon edhe në rritjen e të ardhurave të buxhetit të  bashkisë . Rritja e të ardhurave finaciare dhe sigurimi i fondeve nga drejtime të tjera, sjell më shumë investime në ekonomi e infrastukturë.  Stafi i kësaj Bashkie me Kryetar Gëzim Topçiu, kanë objektiva të qarta për ta kthyer industrinë agroushqimore (Që dikur lulëzonte kjo industri në qytetin e Maliqit, tashmë e rrënuar plotësisht)  në nivele bashkohore për ti ardhur në ndihmë gjithë fermerëve që mbulon kjo bashki. Pra, ringritja e Kombinatit të sheqerit, do ndikojë pozitivisht e dretpërdrejt në të ardhurat finaciare të vetë fermerëve të kësaj bashkie e më gjerë.

bottom of page