top of page

Historiku i qytetit të Maliqit

Fusha e Maliqit në  periudhën antike bënte  pjesë në krahinën ilire të Dasaretisë dhe ishte një nga trevat më të zhvilluara të kulturës ilire, duke pasur një pozicion strategjik në kontrollin e hyrjes për në Dasareti, dallohet për një përqëndrim të vendbanimeve të lashta, duke filluar që nga prehistoria deri në Mesjetë.

Përperiudhën prehistorike qendra më  e rëndësishme është Maliqi, i cili me stacionin e tij prehistorik të gërmuarnë vitët ’60-’80 përfaqëson qendrën më të rëndësishme prehistorike të Shqipërisë. Vendbanim i Maliqit ka qenë banuar pa ndërprerje që nga periudha e neolitit e deri në atë të hekurit të hershëm dhe është studiuar nga arkeologu Frano Prendi. Kronologjia e Maliqit merret si referim për studimet e qendrave prehistorike të Greqisë, Maqedonisë, Kosovës dhe Serbisë. Mbi bazën e studimit të materialeve të Maliqi është përcaktuare dhe rruga e formimit të popullsisë ilire gjatë epokës së bronxit në Shqipëri. Materialet e zbuluara në Maliq gjenden në Muzeun Arkeologjik të Tiranës.

Një qendër  e  rëndësishme arkeologjike është edhe Sovjani, një vendbanim prehistorik i gërmuar që nga viti 1993 nga një ekspeditë shqiptare-franceze. Ajo datohet në periudhën e bronzit dhe të hekurit të hershëm dhe dallohet për ruajtjen e strukturave të drunjta të vendbanimit. Jo larg saj gjende te dhe vendbanimi prehistorik i Podgories, nga më të rëndësishmit e periudhës së neolitit të hershëm për Shqipërinë.

Për periudhën antike qendra më e rëndësishme është qyteti ilir në Hijen e Korbit.

 Nga vëzhgimet në terren dhe nga gjetjet e rastit rezulton të jetë qyteti më i madh ilir i fushës së Korçës, i krijuar rreth mesit të shek. IV p. Kr., në kohën e Mbretërisë Ilire të Bardhylit. Dallohen muret me gurë të mëdhenj, që rrethonin pjesën më të lartë të kodrës, e cila kontrollonte grykën e Devollit, ku kalonte rruga natyrore që lidhte bregdetin e Ilirisë me Maqedoninë. Nga gjetjet e rëndësishme evidentohet një thesar prej 618 monedhash argjendi  i gjetur rastësisht në vitin 1982 dhe që ruhet në Muzeun  Arkeologjik të Tiranës. Emri antik i qytetit nuk njihet, por mendohet të jetë qyteti Koragos, duke u nisur nga emri i tij që në greqishten e vjetër do të thotë korb (Hija e Korbit). Pranë Hijes së Korbit, midis qyteit ilir dhe fshatit Klocë gjendet një kështjellë tjetër antike e ruajtur mjaft mirë, që i takon antikitetit të vonë, shek. IV-VI m. Kr.

Mbi fshatin Symizë gjendet Gradishta e Symizës, një qytet tjetër i rëndësishëm ilir i krijuar krahas Hijes së Korbit në shek. IV p. Kr. Gërmimet arkeologjike të bëra në vitet  1976-1977 zbuluan murin rrethues dhe disa ndërtime antike. Pozicioni i saj mbi grykën e lumit Devoll përkon me përshkrimin e kështjellës ilire të Antipatresë të pushtuar nga romakët gjatë fushatës ushtarake në Dasareti. Antipatrea gabimisht është vendosur në Berat, por sipas burimeve antike ishte qytet i Dasaretisë dhe gjendej në Fushën e Maliqit.

Për periudhën  e Mesjetës.    Qëndra më interesante për territorin e Bashkisë së Maliqit është Zereci, ku sipas librit të Gjon Muzakës, ka pasur origjinën familja feudale e Muzakajve në Kishë e Bungës, ku sipas Gjon Muzakës ishin varret e të parëve të tij.

Siperfaqja: 656.34 km2

Informacion: Qyteti Maliq

Pasaporta e qytetit

Emri:   Maliq

Lindja: 1951

Pozicioni gjeografik: Në juglindje të Shqipërisë

Popullsia: 7696 banorë

Lartësia mbi nivelin e detit: 812 m

 

Bashkia Maliq shtrihet në Juglindje të Shqipërisë, bën pjesë në Qarkun e Korçës, shtrihet në veri perëndim të qytetit të Korçës, rreth 13 km larg tij, dhe në perëndim të fushës së Korçës, përgjatë rrjedhës së lumit Devoll. Bashkia përbëhet nga qyteti Maliq dhe nga gjashtë Njësitë Administrative: Pojan, Vreshtas, Libonik, Gorë, Moglicë, Pirg. Relievi është fushor-kodrinor në pjesën e qytetit dhe kodrinor-malor në fshatrat e bashkisë. Ndodhet në një lartësi nga niveli i detit prej 812 m në qendër të qytetit deri në 1.131 m në fshatin Bickë. Pjesët më të larta në territor janë Mali i Ariut, 1.379 m, në fshatin Kolanec dhe Maja e Mustaqit, 1.547m, në territorin e fshatit Gjyras.

Qyteti i Maliqit është zhvilluar mbi bazën e njëplani urbanistik të tipit rus dhe ka një moshë të re mbi 50 vjeçare, i ngritur pas tharjes së kënetës me të njëjtin emër. Tharja e kënetës ka filluar në vitin 1947 dhe ka përfunduar në 1950 duke përfituar rreth 9000 Ha tokë nga e cila 4500 ha tokë bujqësore. Për tharjen e saj kanë punuar rreth 12-13 mijë punëtorë për gati 4 vjet. Por, fillesat e jetës në këtë zonë janë shumë të hershme. Nga studimet gjeologjike ka rezultuar se në afërsi të të lumit Devoll është zbuluar një vendbanim Ilir. Po kështu në majën e Gradishtës janë zbuluar muret e një fortifikimi Ilir, fakte që flasin për popullim që në lashtësi.

Gjatë viteve të fundit bashkia Maliq është përballur me probleme dhe fenomene të ndryshme si lëvizja e popullsisë, kërkesa për përmiresim të infrastrukturës, kërkesë për rritje të bizneseve private e aktiviteteve prodhuese, vështirësi ekonomike, nevojë për punësim, kërkesë për një mjedis sa më të pastër, etj. Mbas viteve 1990 qyteti dhe territori rreth sajë pësoi dëmtime të kurorës së gjelbër, infrastructures. Pushteti Lokal, duke u përballur me këtë gjendje, ka synuar në përmirësimin e infrastrukturës, mjedisit, jetës në përgjithësi.

bottom of page