top of page

PYLLI I FAZANIT

Pozita gjeografike dhe klima e favorshme bën që kjo zonë të jetë e përqendruar kryesisht tek bujqësia dhe blegtoria. Rreth 1 kilometër nga qendra e qytezës mu në “zemër” të ish- kënetës, mes fshatrave, Libonik, Orman dhe Drithas i Poshtëm ndodhet Pylli i Fazanëve. Dikur një zonë mjaft e vizituar nga banorët vendas dhe jo vetëm, por që sot për fat të keq është lënë në mëshirë të fatit dhe për më tepër dora e njeriut ka shkaktuar dëme të mëdha.

Pylli i përzierë i Maliqit ose siç njihet me emrin Pylli i Fazanëve, gjendet në fshatin Drithas i Poshtëm, pjesë e ish- komunës së Libonikut të rrethit të Korçës, sot pjesë e bashkisë së madhe të Maliqit, ai ndodhet 813.5 m mbi nivelin e detit. Ky pyll ka një sipërfaqe prej 46 hektarë dhe në vitin 1960 është shpallur monument natyror.

Konsiderohet si pyll i përzierë gjysmë natyror, i përbërë prej plepit, shelgut, blirit, pishës dhe bredhit. Është një mbetje e pyllit të dikurshëm që mbulonte pjesën veriore të moçalizuar dhe kënetëzuar të fushëgropës së Korçës. Drurët e këtij pylli janë mbi 60-vjeçarë. Lartësia maksimale e drurëve arrin në 22.7 m, diametri maksimal 80 cm. Sipas specialistëve ky pyll ka vlera shkencore, edukative, biologjike, estetike, didaktike dhe turistike. Për të shkuar në destinacion duhet të ndjekësh rrugën nga Liboniku në Drithas dhe që këtej tek pylli i Maliqit.

Ky pyll ka dhe një pamje mjaft piktoreske pasi në pjesën perëndimore të tij përshkohet nga lumi i Dunavecit, ndërsa gjatë pjesës veriore derdhet lumi i Devollit. Kjo hapësirë e pyllëzuar prej vitesh ndodhet nën administrimin e Agjencisë së Zonave të Mbrojtura pranë Ministrisë së Mjedisit. Nga një investigim i terrenit dhe nga rrëfimi i banorëve mësohet se që prej rënies së regjimit komunist në këtë pyll që dikur ka qenë zonë mjaft e vizituar, ka ndodhur një prerje pa kriter e pyjeve.

Ndërsa një fatkeqësi tjetër që ka ndodhur me të është largimi i të gjithë kafshëve të egra dhe shpendit simbol të tij, fazanit, pjesë e këtij habitati për dekada me radhë. Sorkadhet, kapronjtë, lepujt, ujqërit, dhelprat dhe shumë kafshë të tjera prej vitesh tashmë janë larguar nga ky habitat dhe së bashku me këto kafshë ka humbur edhe interesi i vizitorëve. Duke qenë një zonë malore dhe me një dimër të ashpër nevoja për dru zjarri ka bërë që edhe vetë banorët e zonës të jenë “armiqtë” më të mëdhenj të kësaj zonë turistike.

Fazani

Fazani në Shqipëri e ka origjinën shumë të lashtë, ose të paktën që prej kohës së Bushatllinjve.

Në vitin 1956 u sollën nga Rumania rreth 500 krerë fazanë dhe u hodhën në Rrushkull, të shpallur po atë vit si Rezervat Gjuetie. Me fazanët e shtuar në Rushkull u populluan rezervatet e Fushë Kuqes, Maliqit, Divjakës, Pishë Poros ne Fier e Vlorë, etj. Në 1973, në Rezervatin e Fushë Kuqes filloi puna eksperimentale për rritjen e fazanëve me metodën gjysmë natyrore (çelja e vezëve dhe rritja e zogjve me pula shtëpiake), ndërsa në 1975 filloi rritja gjysmë industriale (çelja e vezëve me inkubatorë të posaçëm të importuar dhe rritja e zogjve në stalla). Mbështetur në këto arritje, u ngritën 7 fazaneri në të gjithë rezervatet e gjuetisë të bregdetit, si në Rrushkull (Durrës), Fushë Kuqe (Krujë), Vain (Lezhë), Kurorë (Fier), Pishë Poro (Vlorë), Pisha e Divjakës (Lushnjë) dhe Velipojë (Shkodër). Ecuria e prodhimit të fazanëve sipas viteve paraqitet më poshtë:

 

Në vitin 1999 në Shqipëri numëroheshin vetëm 62 fazanë

Ndërsa fatkeqësia më e madhe që deri më sot askush nuk është vënë para përgjegjësisë është prerja masive e drurëve në këtë pyll, pas lejeve të shfrytëzimit që janë dhënë prej vitesh nga qeveri të ndryshme si të majta dhe të djathta.

Tentativa për një rivitalizim të zonës

 

Nga viti i kaluar duket se ka një tentativë të qeverisë shqiptare dhe të bashkisë së Maliqit për të ndaluar njëherë e mirë “masakrimin” e plotë të kësaj pike turistike.

Kryetari i bashkisë së Maliqit, Gëzim Topçiu shprehet se qeverisja lokale në këtë  zonë ka bërë një kërkesë pranë Ministrisë së Mjedisit që ky territor të kalojnë nën administrimin e bashkisë fillimisht për një periudhë 10 vjeçare.

“Pylli i Fazanëve, pjesë territoriale e bashkisë së Maliqit është një nga zonat që prej vitesh është lënë jashtë vëmendjes së autoriteteve përgjegjëse duke shkaktuar një situatë aspak normale me prerjen e pyjeve dhe “zbimin” e kafshëve të egra. Kjo zonë gjithmonë ka qenë nën administrimin e Agjencisë së Zonave të Mbrojtura, ndërsa nga viti i kaluar në kemi bërë një kërkesë që të kalojë nën administrimin e bashkisë së Maliqit. Vlen të theksohet se në bashkëpunim me qeverinë shqiptare prej vitit të shkuar ka nisur edhe një projekt për rivitalizimi e kësaj zonë. Fillimisht është bërë asfaltimi dhe ndriçimi i rrugës që të çon tek Pylli i Fazanëve. Ndërsa në kemi në plan që shumë shpejt të bëjmë edhe rrethimin e gjithë zonës”, tha Topçiu.

Më tej kryebashkiaku u shpreh se ka nisur edhe një punë për rikthimin e shpendit simbol të këtij pylli, fazanit. “Plani dhe dëshira jonë është që këtë zonë ta kthejmë plotësisht në shërbim të qytetarëve dhe të turistëve. Me anën e mbarështimit të vezëve kemi nisur nga puna për shtimin e fazanëve, ndërsa në plan kemi edhe rikthimin e kaprollit. Ndërsa është bërë gati një draft marrëveshje për ndërtimin brenda ambienteve të tij të korsive të biçikletave, fushave të tenisit, hendbollit, volejbollit etj.

bottom of page